Stiropori ose pambuku guror për fasadën kontaktuese?

Pyetja: ‘Të nderuar, shpresoj se do të gjeni kohë për pyetjen time dhe se do të marr një përgjigje adekuate nga ju dhe këshillën e duhur. Në fakt, unë kam në plan të bëj demit fasadën në një objekt banesor. Bëhet fjalë për një shtëpi familjare të ndërtuar me blloqe giter, e cila nuk është suvatuar nga ana e jashtme.

Kam menduar ta përdori stiroporin, por disa thonë se pambuku guror është i më i mirë. Çfarë më rekomandoni? I cili izolon më mirë dhe sa është dallimi në çmim? Me cilin material ndërtohet më shpejtë? Faleminderit shumë.
Përshëndetje, Urimi

Përgjigje: Vendimi për të bërë fasadën kontaktuese (më të njohur si ‘Fasada Demit’) në një objekt është sigurisht një vendim serioz në çdo aspekt, e mbi të gjitha në aspektin financiar sepse kërkon investime të cilat paraqesin një element të rëndësishëm për buxhetin shtëpiak. Pikërisht për këtë arsye duhet të mendoni mirë dhe të përpiqeni që në mënyrë gjithëpërfshirëse t’i qaseni zgjedhjes dhe vetë vendimit lidhur me llojin dhe nivelin cilësor të komponentëve që do t’i montoni. Ju rekomandojmë që t’i merrni parasysh faktet në vijim:

  • Fasadën kontaktuese e bëni një herë në jetëgjatësinë e objektit – duhet të përzgjidhen komponentët që do ta mundësojnë këtë,
  • Mendoni për të gjitha aspektet dhe problemet e ndërtesës të cilat mund të zgjidhen me fasadën kontaktuese – përveç izolimit termik gjatë dimrit duhet të mendohet edhe për mbrojtjen termike gjatë verës, për izolimin akustik nga zhurma nga jashtë dhe për rezistencën e fasadës ndaj zjarrit
  • Duhet t’i kushtoni vëmendjen edhe kushteve të komforit në hapësirat e brendshme pas montimit të fasadës – është e dëshirueshme që muret pas montimit të materialit izolues të „marrin frymë“, d.m.th. të jetë i mundur difuzioni i avullit të ujit përmes mureve të jashtme.

Nëse keni menduar në mënyrën e lartcekur, këtu fshihet edhe përgjigja në pyetjen tuaj - a është më mirë të zgjidhni stiroporin (EPS) ose pambukun mineral guror si materialin izolues.

Nëse përcaktoheni për pambukun guror, ju do të merrni mbrojtjen e përshtatshme termike e cila është në nivelin e izolimit EPS (sigurisht për trashësitë e njëjta të përzgjedhura të izolimit) por do të merrni edhe izolimin e shkëlqyer akustik të mureve si dhe fasadën e padjegshme – natyrisht nëse përzgjidhet sistemi i fasadës me të gjitha komponentët që përshtatën me materialin izolues siç është pambuku guror (prodhuesit e caktuar ofrojnë sisteme të certifikuara ETICS me pambuk guror në klasën A2 – që janë sisteme të padjegshme, ndërsa sistemet ETICS me EPS nuk mund ta marrin këtë klasë, ato çdoherë u përkasin sistemeve të djegshme). 

Dhe në fund, dallimi i rëndësishëm në karakteristikat është përshkueshmëria e materialit nga avulli; këtë karakteristikë e definon koeficienti µ, ku sa më e vogël është vlera, aq më e mirë është përshkueshmëria për avullin e ujit. Orientimi i mirë është: vlera për ajrin është µ=1, për pambukun guror µ=1,2 dhe për EPS µ=30-40.

Nga ky krahasim është e qartë se difuzioni i avullit të ujit përmes mureve të cilat e përmbajnë pambukun guror bëhet pa vështirësi, prandaj cilësia e ajrit të brendshëm është gjithsesi më e mirë në krahasim me sistemet të cilat në përbërjen e tyre kanë materiale me papërshkueshmëri të jashtëzakonshme nga avulli.

Pjesa e pyetjes suaj lidhur me vetë montimin ka një përgjigje të thjeshtë – nëse montohen sipas rregullave, të dyja sistemet janë të barabarta në kuptim të vështirësisë së montimit, ose më mirë të thuhet në kuptim të lehtësisë së montimit. Sistemet kontaktuese i kanë rregullat e montimit të cilat janë të njëjta për të dyja sistemet (EPS dhe pambuku guror). Dallimi kyç është se pllakat nga pambuku guror ngjiten domosdoshmërisht me upa, për dallim nga pllakat nga EPS të cilat nuk duhet çdoherë të ngjiten në këtë mënyrë (varet nga lartësia e objektit, ekspozimi ndaj erës, etj.).

Tash mbetet vetëm çmimi – fakti është se fasadat kontaktuese me pambuk guror janë më të kushtueshme se sa ato me EPS, por edhe këtu vlerësimi përfundimtar varet nga disa faktorë. Nëse i zgjidhni komponentët e tjerë të sistemit me cilësi të ngjashme, vetë veshja izoluese do të ishte dy herë më e kushtueshme (pambuku guror vs EPS me të njëjtën trashësi).

Ju mbetet juve që të vlerësoni nëse sistemi me pambuk guror, me të gjitha benefitet shtesë, ofron argumente të mjaftueshme për t’i investuar mjetet në të këtë sistem.